Tuesday, February 16, 2010

Me vështrim tek e ardhmja e fëmijëve

(Mbi domosdoshmërinë e një projekti në ndihmë të nxënësve pukjanë, me objektiv trajtimin ekonomik dhe njerëzor të tyre, si dhe përfshirjen e një vakti ushqimor në shkollë, brenda orarit mësimor)

Puka, si një vend malor dhe me pak resurse ekonomike, ka shumë nevojë për ndihmë e përkrahje ekonomike e shoqërore, për të ndihmuar sadopak në zbutjen e varfërisë së familjeve pukjane.
Konfiguracioni i relievit dhe shpërndarja e vendbanimeve ka bërë që në Pukë, më shumë se në çdo qytet tjetër në Shqipëri, të shtrohet si domosdoshmëri ndihma ndaj fëmijëve në nevojë, në mënyrë që këta të fundit ta ndjejnë veten sa më mirë në mjediset e shkollës. Klima e ashpër që karakterizon rrethin e Pukës dhe kohëzgjatja e saj e skajshme, kushtëzon në mënyrë të vazhdueshme ardhjen në shkollë të fëmijëve nga zonat e largëta dhe si rezultat edhe frekuentimin jo të rregullt të saj. Përveç kësaj, edhe qëndrimi në mjediset e shkollës dhe proçesi mësimor vështirësohet nga kushtet e vëshira të motit.
Kjo është arsyeja që sot, më shumë se kurrë, një trajtim sado i vogël ushqimor shtrohet si domosdoshmëri sepse:
1. Nxënësit që ndjekin shkollën 9-vjeçare e të mesme të Pukës e të Fushë-Arësit vijnë nga fshatra të largëta dhe përshkojnë me këmbë mbi dy orë rrugë vajtje-ardhje.
2. Meqenëse këtë vit shkollor, me udhëzim të MASH, në Pukë janë hapur klasat e pesëvjeçarëve në shkollat e detyrueshme, ato kanë më shumë nevojë për trajtim ushqimor dhe ky trajtim nuk mund të bëhet nga shkolla.
3. Zgjatja e orarit të punës për mësuesit dhe qëndrimi më i gjatë i nxënësve në shkollë për kryerjen e konsultimeve, kërkon medeomos trajtimin e nxënësve të paktën me një vakt ushqimor.
4. Shumë zona po përballen sot me fenomenin e dhimbshëm të braktisjes së shkollës nga nxënësit. Edhe në Pukë, ky fenomen ka marrë përmasa shqetësuese për shkak të varfërisë së shumë familjeve me të ardhura nën minimumin jetik. Situata e vëshirë ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë në rrethin e Pukës ka bërë që shumë fëmijë të ndërpresin shkollimin e tyre dhe të punësohen për të ndihmuar sadopak familjet e tyre.
5. Mendojmë se trajtimi i fëmijëve me një vakt ushqimi do t’i motivojë ata të ndjekin rregullisht shkollën, të përmirësojnë cilësinë e të nxënit si dhe t’i largojnë nga veset negative si: përdorimi i duhanit, alkoolit dhe drogës.
Në këto kushte e gjykojmë të arsyeshme që projekti të përfshijë ato shkolla që shtrihen përgjatë rrugës nacionale, duke filluar nga fshati Gomsiqe, Luf, Pukë, Rrapë, Breg, Gjegjan e Fushë-Arës.

Skënder Ali Guri
Shoqata “Jetimët & Friends”

(Puna e bërë nga Shoqata “Jetimët & Friends”
që vepron në rrethin e Pukës,
nga viti 2005 e në vazhdim)

Shoqata e pavaruar “Jetimët &Friends” që vepron në Pukë ka në gjirin e saj 447 anëtarë jetimë. Kjo shoqatë u formua në korrik të vitit 2005 dhe sot shtrihet në gjithë rrethin e Pukës. Duke qenë se ushtron veprimtarinë e saj në një prej rretheve më të varfra të Shqipërisë, me terren të thyer e malor, ku jetesa e malësorëve kushtëzohet dukshëm nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, veprimtaria e saj ka qenë e vështirë dhe është zhvilluar nën ndikimin e mjaft faktorëve, sa objektivë aq edhe subjektivë. Por pavarësisht kësaj, kryesia e shoqatës është përpjekur të krijojë dhe mbajë lidhje me organizata të ndryshme që kanë paraqitur interes për të ndihmuar fëmijët jetimë e në nevojë.
Ndihma dhe aktivitetet e shoqatës kanë patur objektiva të qarta në fushën e edukimit, shkollimit dhe mirëqënies, me synim që fëmijët jetimë të mos ndihen të braktisur e të harruar, por pjesë vitale e shoqërisë sonë. Në këtë kuadër, veprimtaria e shoqatës ka synuar vazhdimisht tërheqjen e fëmijëve jetimë nga “jeta e rrugës” dhe problemet që lidhen me të si: vjedhjet, droga, prostitucioni etj., dhe përfshirjen e tyre në proçese edukative.
Pranë kësaj shoqate këta fëmijë kanë gjetur mbrojtjen dhe përkrahjen e nevojshme për të përballuar me sukses sfidat e jetës.
Ja disa nga veprimtaritë që janë realizuar gjatë kësaj periudhe:
Organizimi i seminareve me mësues, edukatorë e fëmijë jetimë, ku ndër tematikat e trajtuara më me përparësi mund të përmendet: lufta kundër alkolit, duhanit, drogës, prostitucionit si dhe problemet e shkollimit të kësaj kategorie.
Mbajtja e lidhjeve të vazhdueshme me institucionet fetare në rreth, të cilat kanë ndihmuar veçanërisht në pajisjen e fëmijëve jetimë me çanta, libra, fletore e mjete të tjera shkollore. Të gjitha këto u janë shpërndarë jetimëve në formë pakosh, në raste festash apo në fillim të vitit shkollor. Nëpërmjet ndihmës që ka dhënë kisha katolike, në dy-tre raste është arritur të shpërndahen edhe pako ushqimore. Këto ndihma kanë qenë të vogla dhe në shumë raste të pamjaftueshme, por gjithsesi u kanë falur shumë kënaqësi fëmijëve jetimë.
Organizimi i veprimtarive argëtuese e sportive me fëmijët jetimë, si festat e organizuara për Krishtlindje, kampionati e minifutbollit etj. Mbështetja për zhvillimin e këtyre veprimtarive ka qenë e vogël. Për organizimin e tyre është kërkuar edhe mbështetje nga biznesi vendas, por ndihma e tyre ka qenë modeste sepse në Pukë, aktualisht, vepron vetëm biznesi i vogël dhe mundësitë për ndihmë financiare prej tij mbeten simbolike.
Një ndër objektivat më madhore të shoqatës “Jetimët & Friends” për rrethin e Pukës ka qenë e mbetet ndërtimi i një jetimoreje në qytet, e cila do të luajë njëkohësisht edhe rolin e një konvikti për fëmijët jetimë që vazhdojnë shkollën. Deri tani ky objektiv ka mbetur vetëm në letër sepse nuk është arritur të gjendet asnjë donator që të marrë përsipër ndërtimin apo sponsorizimin e saj. E megjithatë ndërtimi i kësaj jetimorje vazhdon të mbetet një domosdoshmëri jetike. Kjo sepse në shkollat e fshatit ka rënë ndjeshëm numri i nxënësve dhe shumë prej shkollave janë mbyllur ose po shkojnë drejt mbylljes.
Drejtuesit e shoqatës janë të vetëdijshëm që shumë prej objektivave nuk janë realizuar. Kjo ka ndodhur jo për shkak të mungesës së dëshirës për të punuar me të gjitha kategoritë dhe grupmoshat e fëmijëve jetimë, por sepse këto veprimtari kanë një kosto. e cila nuk mund ta përballohet vetëm me ndihmat që ofron biznesi vendas apo kisha katolike. Për këtë arsye janë munduar të gjejnë aleatë edhe jashtë rrethit, por kanë qenë të paktë ata që kanë ofruar ndihmë. Me qëllim që shoqata “Jetimët&Friends” të zgjerojë gamën e veprimtarisë së saj, të sigurojë bursa studimi për fëmijët jetimë dhe të plotësojë kërkesat më themelore të këtyre fëmijëve, ajo ka nevojë për më shumë ndihmë e mbështetje nga organizata të ndryshme. Vetëm fondet e kësaj shoqate janë të pamjaftueshme për të përballuar kërkesat e nevojat e fëmijëve jetimë.
Për sa u paraqit më lart, kërkohet mbështetje nga donatorë seriozë që dëshirojnë dhe mund të japin ndihmë për këta fëmijë jetimë, që sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë për ndihmë dhe përkrahje, sado e vogël qoftë ajo.

Skënder Ali Guri